Fitorja në Pearl Harbor ishte një fitore e madhe por e përkohshme. ShBA-të filluan veprime luftarake të suksesshme kundra Japonisë që përfshinin bombardime ajrore, shkatërrimi i mjeteve lundruese japoneze në saj të nëndetëseve, konfrontime ushtarake tokësore, si edhe furnizimi intensiv i armiqve të japonezëve me armë dhe mjete të tjera luftarake. Beteja të shumta do të zhvilloheshin në vijim. Për tu përmendur është Beteja e Midway, Beteja e Guadacanal, Beteja e Tassafaronga, Beteja e Iwo Jima e të tjera.
Japonia pësoi disfata të njëpasnjëshme. Më 17 korrik të vitit 1945, do të zhvillohej konferenca e Potsdam ku aleatët do të diskutonin çështjet e luftës. Gjatë veprimtarive të konferencës, do të lëshoheshin paralajmërime ndaj Japonisë për të përfunduar luftën. Japonia nuk i mori parasysh këto paralajmërime. Kështu më 6 gusht, 1945, Presidenti i ShBA-ve Harry S. Truman nënshkroi vendimin për lejimin e hedhjes së një bombe atomike mbi Japoninë. Avioni B-29 Superfortress, i koduar "Enola Gay", do të hidhte bombën atomike "Little Boy" (Djali i vogël) mbi Hiroshima me pasoja shkatërrimin e qytetit nga impakti i bombës. Hedhja e bombës atomike mbi Hiroshima, do të pasohej me hedhjen e një tjetër bombe atomike në Nagasaki, më 9 gusht të po atij viti. Më 2 shtator, 1945, Japonia do të kapitullonte zyrtarisht. Kapitullimi u shpall nga perandori Hirohito.